Ilir Malindi tregon masakrën e terroristëve në një repart ushtarak në Gjirokastër. Si u përgatit dhe u realizua sulmi më 10 prill ‘94
Ilir Malindi
vijon nga numri i kaluar
Në një shkrim të botuar nga mesi i korrikut 1993 në gazetën “Elefterotipia” shkruhet ndër të tjera: “Funksione të Ministrisë së Jashtme stigmatizojnë nën zë implikimin, në politikën ndaj Shqipërisë, të një grupi njerëzish, që ata në mes tyre, i quajnë vorioepiriotë profesionistë”.
Nuk përjashtohet mundësia që Micotaqis dhe këshilltarët e tij të kenë investuar për përkrahjen e këtyre “profesionistëve”, në rast zgjedhjesh. Përforcohet kjo bindje kur sjell ndërmend se edhe më 1990, në prag të zgjedhjeve, një grup deputetësh të Demokracisë së Re kishin kërkuar nga Parlamenti lirimin e udhëheqësit të grushtit të shtetit të 21 prillit 1967, Jorgos Papadhopulos dhe njëkohësisht, ju premtua partisë së Papadhopullit, EPEN, lirimi i tij në rast se Demokracia e Re e merrte pushtetin.
Manipulimi i minoritarëve
Në raundin e tretë të zgjedhjeve, partia EPEN ia dha Demokracisë së Re votat e veta. Është fakt i pamohueshëm e po aq i dhimbshëm se shumë minoritarë grekë, që emigruan nga Shqipëria, iu nënshtruan në Greqi një indoktrinimi masiv; iu bë një shpëlarje truri. Tendencat separatiste për atë pjesë të Shqipërisë së Jugut, të cilën në Greqi shumë pak vetë nuk e quajnë Epiri i Veriut, u rigjallëruan e tani ekzistonte edhe kontigjenti i përshtatshëm për të projektuar realizimin e kryqëzatës. Vetë Micotaqis kishte propozuar në fillim të vitit 1993 që minoritarët grekë nga Shqipëria, ose më saktë “vorioepiriotët”, të merrnin nga shteti grek të drejtën e votës. Motivi i kësaj tentative të Micotaqis ishte i qartë e i natyrshëm; ishte edhe reagimi i ashpër i opozitës dhe opinionit. Përderisa flasim për falangën e “vorioepiriotëve”, nuk mund të lemë pa përmendur rolin tejet negativ që ka luajtur në drejtim të marrëdhënieve greko-shqiptare ish-zëvendësministrja e Jashtme e Greqisë në qeverinë e atëhershem, Virgjinia Cuderu. Aq shumë e kishte monopolizuar ajo problemin e marrëdhënieve me Shqipërinë, e sidomos me minoritetin, saqë, siç ma ka pohuar ish-ministri i Jashtëm, Papakonstandinu, ai vetë është takuar për herë të parë me përfaqësues të minoritetit vetëm në gusht 1993. Zonja Cuderu, sillet nga mjaft burime private greke si organizatorja e operacionit për futjen në zonën e minoritetit të 2 000 armëve, fakt që pala greke e ka refuzuar kategorikisht dhe që e vërteta duhet thënë deri në fund. Shtypi vendas, aq i zellshëm në zbulimin dhe demaskimin e skandaleve, nuk iu referua kurrë zërave të vetmuar në Greqi, që ngulnin këmbë për të kundërtën.
Implikimi i Nikolas Geixh
Një tjetër person kyç është Nikolas Geixh, alias Gaxojanis, këshilltar i kryeministrit Micotaqis për marrëdhëniet me Shqipërinë. Nuk mund të kalohet pa vëmendje ky fakt, kur dihet botërisht se gjatë viteve 1980, Geixh ishte frymëzuesi i të gjitha demonstratave antishqiptare në Athinë e në diasporën greke e, në më të shumtat, ishte dhe oratori kryesor. Si këshilltar i Micotaqis, ai i shpeshtoi vizitat në zonën e minoritetit grek në Shqipërinë e Jugut, por edhe në verë të 1994-ës. Kur kriza greko-shqiptare ishte në zenithin e vet, Geixh është parë përsëri në atë zonë. Në qarqet e pavarura greke ekziston gjerësisht bindja se pikërisht Nikolas Geixh ia mbushi mendjen Micotaqisit që të parashtronte 6 kushtet, sidomos identifikimin e problemit të minoritetit grek me atë të shqiptarëve në Kosovë.
Në prag të zgjedhjeve të reja, Micotaqisit i interesonte hapja e një fronti tjetër në politikën e jashtme të vendit, fushë ndaj së cilës grekët janë veçanërisht të ndjeshëm. Problemi i minoritetit grek në Shqipëri do të mund të shërbente edhe si një pikë referimi për ballafaqimin mes Dmokracisë së Re e PASOK-ut, që më 1987, kur kishte abroguar ligjin e gjendjes së luftës me Shqipërinë, ishte akuzuar nga opozita për tradhti të lartë. Kështu, duke prekur telat e njeshmërisë folklorike të patriotizmit grek, Micotaqis shpresonte t’i rriteshin shanset e fitores në zgjedhjet që do të vinin. Një tjetër hamendje, më pak e mundshme, është që të ketë ekzistuar një bashkërendim idesh e veprimesh mes Micotaqis e Millosheviçit. Alibia është e arsyeshme: në kohën që Shqipëria shtyp minoritetet brenda vendit, nuk mund të flasë për shtypjen e bashkëkombasve të vet në Jugosllavinë e cunguar. Konstandin Micotaqis zor se do ta pranonte një logjikë të tillë, jo vetëm pse partnerët evropianë qysh në momentet e para të acarimit mbajtën kryesisht anën e Shqipërisë, por edhe pse problemet e shqiptarëve në Kosovë janë absolutisht të ndryshme nga ato të minoritetit grek në Shqipëri, pavarësisht paralelizmit që kryeministri grek bëri ndërmjet tyre më 14 korrik 1993; këtë Micotaqis e di fare mirë.
Raporti i ambasadorit grek në Tiranë
Në një raport të vitit 1992, ambasadori i atëhershëm i Greqisë në Tiranë, Stelianos Malikurtis, shkruan ndër të tjera: “Mendoj se nuk duhet të pretendojmë çka pretendon Tirana për Kosovën, ku ka mbi 2 milionë shqiptarë, kurse minoriteti grek në Shqipëri, në rastin më të mirë, nuk i kalon të 300 000 vetat. Edhe nëse krijohet një universitet në Gjirokastër për minoritetin, a jemi të sigurt se do të gjendet kontigjenti i nevojshëm i studentëve për të funksionuar ky universitet?”.
Ka gjasa të jetë kjo arsyeja që në pjesën e dytë të konferencës për shtyp, Micotaqis iu shmang deklarimit të prerë rreth autonomisë për të ashtuquajturin Epiri i Veriut dhe u shpreh për një zgjidhje unike të problemit të minoriteteve në Ballkan. Ka gjasa gjithashtu, që raporti i sipërpërmendur të ketë ndikuar në shkarkimin e zotit Malikurtis nga posti i ambasadorit dhe në transferimin e tij.
Masakra e Peshkëpisë
Nata e 10 prillit ishte kthyer në Natë të Shën Bartolomeut për 130 ushtarët e qendrës së rekrutëve në Peshkëpi të Gjirokastrës, por edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë. Në notën e protestës së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë thuhej: “Sot, më 10 prill 1994, rreth orës 02.30 të mëngjesit, një komando terroriste greke, e përbërë nga 6-7 veta, midis të cilëve edhe një që e fliste gjuhën shqipe me akcent minoritar, e armatosur me armë zjarri dhe e veshur me uniformë ushtarake greke, u fut në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi të rrethit të Gjirokastrës. Afro 4 kilometra në thellësi, në qendrën e stërvitjes së rekrutëve, vranë në befasi me automatik ushtarin Arsen Llazar Gjini, 20 vjeç, nga fshati Seman i rrethit të Fierit. Pas këtij veprimi, katër të tjerët u futën në fjetoren e ushtarakëve, ndërsa ata ishin në gjumë, dhe hapën zjarr. Nga ky akt barbar mbeti i vrarë shefi i stërvitjes, Kapiteni i Parë Fatmir Sali Shehu, 34 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Gjirokastër. Gjithashtu u plagosën tre ushtarë dhe u lënduan shumë të tjerë. Gjatë kryerjes së këtyre veprimeve çnjerëzore, njëri nga pjesëtarët e komandos terroriste thërriste: “Këtë e keni për Vorio Epirin! Mos kujtoni se kemi harruar!”. Pas këtij akti, komandoja u largua e ndjekur nga forcat kufitare shqiptare dhe kaloi kufirin grek. Gjurmët të çonin te posta kufitare greke. Të gjitha rrethanat e këtij krimi të bëjnë të mendosh se ai ishte një akt i paramenduar kriminal, i forcave speciale greke, për të cilën qeveria greke e mban gjithë përgjegjësinë. Ai është një akt që përbën një cënim të rëndë të sovranitetit të shtetit shqiptar, të cilin qeveria shqiptare e denoncon pranë qeverive të shteteve të tjera dhe organizmave nderkombëtare dhe u kërkon atyre të ushtrojnë presion ndaj qeverisë greke, për t’u dhënë fund këtyre akteve kriminale, që kanë prapamendime tepër të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, që bëjnë pjesë në strategjinë e destabilizimit të Ballkanit dhe synojnë të rrisin tensionin në Jug të tij. Duke protestuar me forcë ndaj qeverisë greke për këtë akt të ulët terrorist, qeveria shqiptare do të marrë të gjitha masat e duhura dhe njëkohësisht, kërkon prej saj të zbulojë autorët e këtij krimi”.
Deklarata e qeverisë greke, pas ngjarjes
Bashkëbisedimi i zakonshëm i zëdhënësit të qeverisë greke, Evangelos Venizellos, me gazetarët vendas dhe të huaj, zgjati bukur-shumë atë ditë të hënë. Megjithatë, çështjet që dominuan bashkëbisedimin, dëshmuan se Athina ose donte ta kalonte në heshtje masakrën e Peshkëpisë, ose nuk kishte mundur ende të bënte një kryqëzim të të dhënave.
Atë të hënë në mesditë, u fol shumë për një protestë të ish-mbretit të Greqisë ndaj një vendimi të qeverisë për shtetëzimin e të gjitha pasurive të tij dhe heqjen e nënshtetësisë. Gjithashtu, mjaft u fol edhe për sulmin e forcave të NATO-s në Goranxi e takimin në mbrëmje të Papandreut me ambasadorin e Jugosllavisë së cunguar. Lidhur me masakrën e Peshkëpisë, zëdhënësi u përgjigj: “Qeveria greke u informua e befasuar për ngjarjen që përshkruhet në notën shqiptare, si dhe akuzat që përfshihen në të e drejtohen kundër Greqisë. Qeveria greke njeh vetëm pretendimet e palës shqiptare, të cilat janë kontradiktore, përderisa, nga njëra anë tentojnë t’i hedhin qeverisë greke përgjegjësinë e plotë për një gjoja operacion te planifikuar, dhe nga ana tjetër, e ftojnë që të gjejë dhe të dënojë autorët e panjohur. Greqia është faktor themelor paqeje, sigurimi dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit, i cili është shndërruar në fushë tensionesh e provokacionesh të shumëllojshme. Në këtë kuadër, synimi i përhershëm i politikës së jashtme është përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve greko-shqiptare. Vetëkuptohet se Greqia kundërshton dhe dënon çdo akt dhune, prandaj nuk do të mund të kishte lidhje me një ngjarje të tillë. Këtë e di mirë komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria shqiptare. Greqia, rrjedhimisht nuk është e predispozuar të durojë asnjë provokacion dhe asnjë akuzë të pabazë kundër saj. Kështu që, është absolutisht e papranueshme çfarëdo tentativë për ta lidhur qeverinë greke me një ngjarje të tillë. Përgjigjja e plotë dhe zyrtare e Greqisë ndaj notës shqiptare, do të jepet nëpërmjet rrugës diplomatike”.
Është e qartë se toni i përciptë e njëkohësisht kategorik i deklaratës, nuk mund të justifikohet vetëm me befasimin e qeverisë greke. Dhe vetë gazetarët vendas, me të cilët bisedova atë ditë, nënvizonin një lloj cinizmi të nënzëshëm në tekstin e deklaratës. Qoftë dhe për humanizëm, Venizellos do të duhej të kishte shprehur keqardhjen për viktimat, çka dhe e bëri një ditë më vonë, pasi rishikoi, të paktën kështu dua unë të besoj, deklaratën e vet të pasmesnatës.
Shtypi grek
Në mesnatën e së dielës, duke u gdhirë e hënë, 11 prill, në redaksinë e gazetës “Elefterotipia” kishte mbërritur një faks ku njoftohej se autorësinë e kryerjes së masakrës e merrte përsipër organizata MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut), e cila nuk qe e panjohur. Të njëjtin emër e iniciale kishte dhe organizata jetëshkurtër e krijuar aty nga fundi i vitit 1942, me synim të vetëm bashkimin e Epirit të Veriut me Greqinë. Gati gjysmë shekulli më vonë, më nëntor 1991, gazeta “Ta Nea” bënte të ditur se diku në Kretë ishte krijuar e po stërvitej MAVI, e përbërë nga ish-oficerë të shërbimit informativ e të ushtrisë greke. Tribunë e këtyre ish-oficerëve dhe, sipas shume pohimeve në vend, edhe oficerëve aktivë, është bërë e përjavshmja “Stohos” (Objektivi). “Kush mendon se “Stohos” është një gazetë e dorës së fundit,- shkruante gazeta “Elefterotipia” më 16 prill 1994, - nuk ia vlen të merresh seriozisht me shkrimet e saj fashiste e luftënxitëse. Po i kujtojmë se deri para pak kohësh, në vitet e qeverisjes së Micotaqis, Ministria e Jashtme blinte me qindra ekzemplarë dhe i shpërndante nëpër zyrat e shtypit të ambasadave tona anekënd botës”.
Thuajse në çdo numër, “Stohos” boton materiale, objekti dhe formulimi i të cilave nuk kanë asnjë lidhje me përkufizimin e gazetarisë. Kështu, në fillim të vitit 1994, boton listën e diplomatëve “armiq” të akredituar në Athinë, si dhe funksionet, adresat dhe targat e automjeteve të tyre. Kur në korrik të atij viti u vra nga organizata terroriste “17 Nëntori” këshilltari i parë i ambasadës turke në Athinë, “Elefterotipia” e paditi “Stohosin” dhe kërkoi ndjekjen penale kundër botuesit të gazetës, pikërisht për shkak të botimit të listës së diplomatëve, listë e cila mund të gjendej vetëm në kasafortat e shërbimit sekret. Zëri i “Elefterotipias” mbeti një zë në shkretëtirë.
Gazeta nacionaliste “Stohos”, shpjegon
Vetëm pesë javë para kryerjes së masakrës së Peshkëpisë, në numrin e datës 2 mars shkruan, ndër të tjera, në faqen e parë: “Me gjithë masat e tërbuara të shqiptarëve dhe me gjithë kundërshtimin e politikanëve tanë, të cilët nuk duan të kenë telashe e kokëçarje, grekët e trojeve tona të pushtuara nga Tirana, organizuan me përkrahjen e “Stohos”, që përbën shpresën e fundit për kombin, SKUADRAT E VETËMBROJTJES.
Këto skuadra pishtare, që u betuan të derdhin gjakun për mbrojtjen e helenizmit dhe çlirimin e skllevërve, u formuan në fshatrat Aliko, Vagalat, Dhivër, Dhrovjan, Leshicë, Mursi, Finiq dhe së shpejti do të shtrihen edhe në fshatra të tjera. Kurse botuesi Jorgos Kapsalis, në një përpjekje, ndofta për të dalë i larë, prononcohet si me poshtë për masakrën e Peshkëpisë: “Qëndrimi i “Stohos” për ngjarjen në repartin ushtarak shqiptar është i qartë. Ne besojmë se Greqia duhet të shtrihet në kufijtë e saj të natyrshëm, ndër të cilët përfshihet edhe Saranda, Gjirokastra dhe Shkupi. Urojmë që komandoja, që kreu aksionin, të jetë frymëzuar nga të njëjtat ide që frymëzohemi dhe ne. Për fat të keq, kemi mbërritur në stadin absurd dhe nacionalisht të rrezikshëm që, nga njëra ana t’u themi “Bravo!” armenëve e kurdëve, që me të drejtë e godasin Turqinë brenda territorit të vet, dhe nga ana tjetër, të mos i mbështesim vorioepiriotët që të zhvillojnë luftën e tyre partizane çlirimtare. Në këtë kontekst, nëse aksioni i komandos në Peshkëpi përbën fillimin e një lufte të tillë çlirimtare, atëhere ne e përshëndesim atë. Para një viti e gjysmë, shumë gazeta të Athinës botuan fotografi vorioepiriotësh, që mbanin në duar çifte për t’u mbrojtur nga shqiptarët e Kosovës. Atëhere ky fakt ishte konsideruar si fillimi i masave të vetëmbrojtjes së domosdoshme të helenizmit. Greqia e ka braktisur helenizmin, e ka lënë në mëshirë të shqiptarëve. A nuk duhet që njerëzit të organizohen e të përgjigjen? E vetmja rrugë për mbrojtjen e helenizmit është bashkimi i Epirit të Veriut me Greqinë. Kjo do të bëhet. Dhe do të bëhet me luftë”.
Ngjarja, sipas organizatës terroriste ultranacionaliste, MAVI
Le të riprodhojmë ato pjesë të traktit, që botoi shtypi grek: “Organizata patriotike MAVI, pasi studioi me kujdes kushtet dhe operacionin që do të kryente në janar 1994, i dha urdhër njërës prej skuadrave të saj të armatosura që të godiste një repart ushtarak shqiptar, pranë vijës kufitare. Në orët e para të datës 10 prill, ditë e diel, në bazë të informatave të dhëna nga “Seksioni i mbledhjes së informatave”, skuadra PIRRO-l, e përbërë nga një grusht luftëtarësh, gjendjej në pozicionin e vrojtimit të objektit, në një kodër aty pranë. Sulmi filloi me kapjen e rojes dhe brenda dy minutash, godina dykatëshe e stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e luftëtarëve tanë. Duhet të theksojmë se skuadra kishte urdhër të prerë nga Këshilli Ekzekutiv i MAVI-t që, mundësisht, të shmangeshin vrasjet, përderisa kjo goditje ishte paralajmëruese dhe kishte për qëllim shtimin e armatimit tonë. Mirëpo u detyruam të qëllojmë kundër kapitenit (komandant i repartit), i cili rezistoi, madje edhe duke përdorur pistoletën e tij të tipit Tokarev. Viktima e dytë, ushtari, na sulmoi. Në vazhdim skuadra i mblodhi 130 ushtarët dhe i futi në një dhomë, që i kishte dritaret me kangjella dhe izoloi dy oficerë të tjerë, në një zyrë tjetër.
Skuadra e mbajti repartin për 20 minuta. Duke ikur, mori me vete 15 automatikë tip Kallashnikov të prodhimit kinez, dy arka me municion, si dhe oficerin e SHIK-ut, të cilin pak më vonë dhe të lidhur me pranga, e la të lirë. Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak. U krye për të dhënë sinjalin e fillimit të luftës sonë, kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në vendin tonë. Dhuna, kur godet padrejtësinë dhe autarkinë, përbën një metodë të pranueshme luftarake. Këtë fitore, në operacion të drejtë, ne ua dedikojmë ushtarëve grekë, që derdhën gjakun në malet tona dhe buldozerët shqiptarë ua zhvarrosën eshtrat e ua hodhën qenëve. Kërkojmë që të ndërpritet menjëherë terrorizimi i grekëve të Epirit të Veriut nga qeveria shqiptare dhe lirimi i menjëhershëm i aktivistëve të OMONIA-s, në emrin e të cilëve dënohet Greqia dhe e ardhmja e helenizmit të Epirit të Veriut në tokën atërore, funksionimi i pandërprerë i shkollave greke, kudo ku ka persona me origjinë greke. T’i jepet fund pengimit të ushtrimit të fesë dhe rindërtimit të kishave tona. Të ndalohet shitja jashtë shtetit, nga “zyrtarë të lartë” shqiptarë, e thesareve tona të lashtësisë dhe të periudhës bizantine. Të ndalohet kolonizimi i Epirit të Veriut me shqiptarë nga Veriu dhe nga Kosova. T’u jepen pronat pronarëve të vërtetë, me qëllim që të rilindet toka jonë. Ftohet qeveria greke dhe udhëheqja politike që të interesohen më në fund me të vërtetë, për tokën tonë, që të mos shpërngulemi. Politikë do të thotë presion dhe jo dhënie dhuratash Berishës. Ftohet ushtria greke të jetë vigjilente. Jemi të vendosur që, në vend që të shpërngulemi, të ngujohemi në llogoret tona të lira dhe aty, duke luftuar, të presim të vijë ose ushtria greke, ose vdekja”.
Reagimet e qeverisë greke
Qeveria greke nxitoi ta quante traktin një provokacion të ri, ndërsa ministri i Rendit Publik shkoi edhe më tej, duke thënë se trakti mund të ishte shkruar dhe nga njerëz të shërbimit të fshehtë shqiptar. Mirëpo, trakti ishte shkruar me një greqishte skrupuloze, çka nuk mund ta bënte një njeri me arsim të kufizuar e aq më pak, ndokush prej minoritarëve grekë, gjuha e të cilëve ndryshon bukur-shumë nga gjuha letrare e Greqisë së sotme. Tanimë ishte e qartë se prapa MAVI-t fshihej ndonjëra nga organizatat aktive vorioepiriote, në mos të katra bashkë. Ndonëse goditja e armatosur ishte bërë në Shqipëri, megjithatë, dukej qartë se me këtë trakt synohej edhe vetë qeveria greke. Dy muaj pas paralajmërimit, nacionalekstremistët e kërcënonin qeverinë se do të mund t’i krijonin belara të tjera, po të mos i linte të vazhdonin kryqëzatën e helenizimit të Epirit të Veriut. Athina ishte diskredituar mjaft prej sebepit të masakrës së Peshkëpisë; një masakër e ngjashme do t’i ndërsente me plot kuptimin e fjalës aleatët e Greqisë kundër saj. Duke i nënvleftësuar dikur mesazhet e Peshkëpisë, Greqia dukej tanimë se kishte shtënë në grackë vetveten.
Detajet e sulmit të komandove greke
Aksioni i ideuar nga MAVI
Studimi i situatës për tre muaj, janar-prill 1994
Urdhri: Skuadra PIRRO-l të godiste një repart ushtarak shqiptar pranë vijës kufitare
Sulmi filloi në orët e para të së dielës, më 10 prill
Fillimisht u kap roja dhe brenda pak kohësh godina e qendrës së stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e komandove greke
Së pari vritet kapiteni Fatmir Shehu, komandant i repartit
Viktima e dytë, ushtari Arsen Gjini, 20 vjeç
Më pas, 130 ushtarët u izoluan
Bashkë me ta, edhe dy oficerë të tjerë
Skuadra e mbajti repartin për rreth 20 minuta dhe mori me vete 15 automatikë tip Kallashnikov të prodhimit kinez, dy arka me municion, si dhe oficerin e SHIK-ut
Gazeta Panorama
Krijoni Kontakt